Një armëpushim i brishtë në zonën përreth Oleshkit, që ndodhet nën pushtimin rus, hyri në ditën e tretë më 29 tetor, duke ngjallur shpresë për mijëra civilë që përballen me mungesa të mëdha dhe rrugë të rrezikshme për t’u larguar, mes frikës se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë pauzë për t’i transferuar me forcë banorët në Rusi ose në Krimenë e pushtuar.
Armëpushimi i lokalizuar, i ndërmjetësuar me përfshirjen e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, hyri në fuqi më 27 tetor dhe është planifikuar të zgjasë deri më 1 nëntor. Zyrtarë ukrainas dhe amerikanë i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se gjatë dy ditëve të para nuk është raportuar për shkelje.
Megjithatë, mungesa e shkeljeve të raportuara ka bërë pak për të ulur shqetësimet lidhur me pasojat e operacionit. Zyrtarët ukrainas dhe përfaqësuesit e organizatave humanitare thonë se suksesi i tij do të varet nga fakti nëse banorët do të marrin ndihmë, do të mund të evakuohen në mënyrë të sigurt dhe do të jenë të lirë të zgjedhin destinacionin e tyre.
Armëpushimi vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Moska po përgatiten për një takim të mundshëm diplomatik, teksa ligjvënësit amerikanë po debatojnë për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.
Ligjvënësit paralajmërojnë për dëbime me forcë
Grupi dypartiak i Kongresit për Ukrainën e mirëpriti armëpushimin më 28 tetor, duke vlerësuar përpjekjet e zonjës së parë, Melania Trump, por njëkohësisht duke shprehur shqetësim për raportimet se autoritetet ruse po i pengojnë banorët e Oleshkit që të evakuohen drejt territorit të kontrolluar nga Ukraina.
Në një deklaratë të ndarë dhënë për Radion Evropa e Lirë, bashkëkryesuesit – përfaqësuesja demokrate Marcy Kaptur nga Ohajo dhe përfaqësuesi demokrat Mike Quigley nga Illinois, si dhe përfaqësuesit republikanë Brian Fitzpatrick nga Pensilvania dhe Joe Wilson nga Karolina e Jugut – kërkuan evakuim të sigurt, ndihmë humanitare dhe liri për t’u ribashkuar me të afërmit.
“Transferimi ose dëbimi me forcë i civilëve nga territori i pushtuar është krim lufte”, thanë ligjvënësit amerikanë duke i kërkuar Rusisë që t’i japë fund praktikave shtrënguese dhe t’i lejojë banorët të zgjedhin se ku duan të shkojnë.
Ata paralajmëruan se Moska nuk duhet ta shndërrojë armëpushimin në një tjetër instrument të represionit, pasi banorët janë përballur me mungesa të mëdha dhe kërcënimin e sulmeve të pandërprera me dronë. Në deklaratë të ligjvënësve u përmendën edhe shkeljet më të gjera të dyshuara të Rusisë ndaj ukrainasve, përfshirë rrëmbimin e dhjetëra mijëra fëmijëve.
Oleshki, që ndodhet përtej lumit Dniepër nga Hersoni, është nën pushtimin rus që nga viti 2022. Organizata amerikane e avokimit Razom for Ukraine vlerëson se atje kanë mbetur të bllokuar nga 1.700 deri në 2.000 civilë, përfshirë rreth 50 fëmijë. Shumë prej tyre janë të moshuar, persona me aftësi të kufizuara dhe njerëz që kujdesen për ta.
Banorët përballen me mungesa të mëdha ushqimi dhe ilaçesh, si dhe me mungesë të qasjes së qëndrueshme në ujë të pijshëm, energji elektrike, gaz dhe ngrohje. Sipas Razom, dërgesat e rregullta të ushqimit përmes infrastrukturës rrugore u ndërprenë në maj.
Minat, sulmet me dronë dhe infrastruktura e dëmtuar e kanë bërë largimin të rrezikshëm, teksa zyrtarët ukrainas dhe përfaqësuesit e organizatave humanitare akuzojnë forcat ruse se po pengojnë largimin e banorëve dhe dërgimin e ndihmave.
Përpjekjet për ndihmë nën vëzhgim
Avokati i Popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets, tha se përgatitjet për misionin humanitar po vazhdojnë në bazë të një marrëveshjeje me Rusinë. Në bashkëpunim me komisionaren ruse për të drejtat e njeriut, Yana Lantratova, ai ka koordinuar përpjekjet përmes marrëveshjeve të lehtësuara nga Melania Trump.
Pas informimit të ligjvënësve ukrainas më 28 tetor, Lubinets e falënderoi zonjën e parë të SHBA-së për përfshirjen e saj, duke thënë se përparësi ishte zbatimi i marrëveshjes, ndihma për civilët dhe shpëtimi i jetës.
Zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, tha se Rusia dhe Ukraina kanë nisur operacionet për çminimin e zonës, me qëllim krijimin e një kalimi të sigurt për ndihmën humanitare. Më vonë, ajo njoftoi se katër gazetarë të rrjetit Newsmax do të udhëtojnë drejt Oleshkit për të dokumentuar operacionin, së bashku me përfaqësues humanitarë rusë dhe ukrainas.
Megjithatë, përfaqësuesit e organizatave avokuese thonë se vetëm gazetarët nuk mund t’i zëvendësojnë vëzhguesit e pavarur, të cilët mund të verifikojnë nëse vendimet merren me vullnet të lirë dhe të hetojnë shkeljet e dyshuara.
Daniel Balson, drejtor i avokimit në Razom, i tha Radios Evropa e Lirë se përpjekjet e Melania Trump meritojnë vlerësim, por paralajmëroi se mungesa e monitorimit të besueshëm nga palë të treta ishte një dobësi serioze.
“Nuk është paraparë përfshirja e vëzhguesve të besueshëm nga palë të treta, nga ICRC-ja ose OKB-ja, për të mbikëqyrur evakuimin”, tha ai, duke iu referuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Kombeve të Bashkuara.
Balson paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin, mund ta shfrytëzojë operacionin për të dëbuar me forcë afër 2.000 civilë, përfshirë fëmijë.
Instituti për Studimin e Luftës tha më 28 tetor se ende nuk ishte e qartë se si do t’i trajtojnë autoritetet ruse personat e evakuuar dhe nëse banorët do të kenë një mundësi reale për të zgjedhur lirisht, pa detyrim, kthimin në territorin e kontrolluar nga Ukraina.
Razom paralajmëroi se personat e transferuar në territoret e kontrolluara nga Rusia mund të përballen me marrje në pyetje, procedura verifikimi, ndalim ose presion për të siguruar dokumente ruse. Fëmijët mund të ndahen nga të afërmit ose të vendosen nën kujdestarinë e autoriteteve ruse.
Organizata paralajmëroi po ashtu se Moska mund t’i përdorë pamjet e personave të evakuuar për të krijuar përshtypjen se ukrainasit po zgjedhin vullnetarisht që të zhvendosen në Rusi.
Yuriy Boyechko, drejtor ekzekutiv i organizatës humanitare amerikane Hope for Ukraine, ngriti një shqetësim tjetër. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ekziston rreziku që armëpushimi të shndërrohet në një mjet për transferimin e detyruar të popullsisë dhe për ripozicionimin e forcave ushtarake ruse.
Ai pretendoi se forcat ruse po i pengojnë civilët që të evakuohen drejt territorit të kontrolluar nga Ukraina, përtej lumit Dniepër, dhe në vend të kësaj po i drejtojnë drejt Krimesë së pushtuar ose Rusisë.
Boyechko tha se trupat ruse po zhvendosin mjete të rënda të blinduara, artileri dhe njësi të reja drejt brigjeve të lumit, duke e shfrytëzuar armëpushimin për të ndërruar forcat në vijën e frontit dhe për të krijuar pozicione përpara.
“Nën maskimin e një armëpushimi të përkohshëm, njësitë ruse po zhvendosin mjete të rënda të blinduara, artileri dhe grupe të reja luftarake drejt brigjeve të lumit”, tha ai duke paralajmëruar se këto lëvizje mund të sinjalizojnë përgatitjet për një ofensivë të re, me synim që të ushtrohet presion dhe potencialisht për të rimarrë Hersonin.
Vizita e Lavrovit në Atlanta rrit rëndësinë diplomatike
Perspektivat e pasigurta të armëpushimit përkojnë me një mundësi të re për kontakte diplomatike mes Uashingtonit dhe Moskës. Moska konfirmoi më 28 tetor se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të kryesojë delegacionin e Rusisë në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s, që do të mbahet në Atlanta më 30 dhe 31 tetor. Këtë vit, Shtetet e Bashkuara kanë presidencën e radhës të grupit.
Pjesëmarrja e Lavrovit do ta vendosë atë në të njëjtin qytet me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke krijuar mundësi për kontakte të drejtpërdrejta, ndonëse burime diplomatike i thanë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ishte konfirmuar ndonjë takim mes tyre.
Përfaqësuesi republikan Don Bacon kritikoi mundësinë e pjesëmarrjes së Lavrovit, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se udhëheqësit rusë nuk duhet të mirëpriten në forume ndërkombëtare, përderisa Moska vazhdon luftën kundër Ukrainës.
“Përderisa Putini po zhvillon luftë kundër Ukrainës dhe po bombardon qytetet, udhëheqësit rusë nuk duhet të mirëpriten në asnjërin prej këtyre forumeve”, tha Bacon. “Ata drejtojnë një shtet të përjashtuar nga bashkësia ndërkombëtare”.
Njoftimi për vizitën e Lavrovit erdhi një ditë pasi ai i hodhi poshtë dhe i vlerësoi si të parëndësishme përpjekjet diplomatike të presidentit finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store, për t’u angazhuar me Putinin. Ai paralajmëroi po ashtu se lufta informative lidhur me Ukrainën do të vazhdojë dhe ka gjasa të intensifikohet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i mirëpriti përpjekjet e udhëheqësve nordikë, teksa Kievi po përpiqet të sigurojë që interesat e Ukrainës të mbeten në qendër të çdo negociate.
Kievi kërkon të forcojë pozicionin para bisedimeve të planifikuara
Zelensky po koordinon veprimet me partnerët evropianë në prag të negociatave të planifikuara. Pas takimit me kryeministrin holandez, Rob Jetten, më 28 tetor, ai tha se po vazhdojnë përgatitjet për një takim trepalësh të planifikuar në Abu Dabi dhe se kishte diskutuar me Jettenin se si partnerët evropianë mund të siguronin që interesat e tyre të merren parasysh.
Ukraina ka argumentuar se negociatat vështirë se do të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme nëse Moska beson se mund të sigurojë përfitime të tjera përmes presionit ushtarak.
Në Uashington, një grup dypartiak i ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve po mbështet një projektligj që synon të trajtojë pengesat për transferimin e armëve me origjinë amerikane drejt Ukrainës, përmes vendeve të treta.
Përfaqësuesit Bill Keating (demokrat nga Masaçusetsi), Joe Wilson (republikan nga Karolina e Jugut), Gregory Meeks (demokrat nga Nju Jorku), Don Bacon (republikan nga Nebraska), Sarah McBride (demokrate nga Delauer) dhe Brian Fitzpatrick (republikan nga Pensilvania) kanë prezantuar një projektligj të ri të quajtur: Akti për Përshpejtimin e Investimeve Evropiane në Mbrojtjen e Ukrainës. Ai synon të ndryshojë ligjin amerikan për eksportin e armëve, me qëllim që të adresohet transferimi drejt Kievit, përmes palëve të treta, të disa pajisjeve ushtarake.
Marrëveshja për naftën shkakton një tjetër përplasje në Uashington
Një mosmarrëveshje tjetër lidhur me importet e energjisë ruse ka nxjerrë në pah ndasi të mëtejshme në politikën amerikane karshi Moskës.
Sipas raportimeve, senatori demokrat Richard Blumenthal i kërkoi kompanisë së transportit detar, përgjegjëse për cisternën Agioi Fanendes, e cila lundron nën flamurin e Maltës, të kthehej para se të dorëzonte në Nju Jork një ngarkesë prej rreth 40.000 tonësh metrikë naftë dizel ruse.
Anija, sipas raportimeve, e kishte ngarkuar naftën në portin rus Primorsk, në Detin Baltik, më 22 tetor dhe pritet të mbërrijë më 7 nëntor.
Blumenthal argumentoi se dërgesa mund të shkelë një ligj të vitit 2022, i cili ndalon importin e naftës dhe produkteve të naftës nga Rusia. Ai tha se marrëveshja e njoftuar së fundi nga presidenti Donald Trump, për të siguruar furnizime me naftë dizel ruse nuk mund t’i anashkalojë kufizimet e miratuara nga Kongresi amerikan.
“Presidenti mund të ketë dhënë një licencë për ta lehtësuar këtë transaksion, por vetëm Kongresi mund ta bëjë atë ligjërisht të vlefshëm”, shkroi Blumenthal në një letër drejtuar drejtorit menaxhues të kompanisë së transportit detar.
Marrëveshja, që u bë publike më 9 tetor dhe që është thënë se synon uljen e çmimeve të karburanteve, është kritikuar nga ligjvënësit, të cilët thonë se blerjet e energjisë ruse mund t’i sigurojnë Moskës të ardhura shtesë për të financuar luftën. Meeks ka prezantuar një projektligj që synon të bllokojë importet e naftës dizel ruse dhe të vendosë sanksione të mëtejshme.

