Gazetari i njohur spanjoll, Manu Carreño, ka dalë në mbrojtje të Lamine Yamalit, pas debatit të krijuar rreth trajtimit të veçantë që po merr ylli i Barcelonës nga përfaqësuesja e Spanjës.
Lamine nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Çekisë, pasi po rikuperohet në Barcelonë nga shqetësimet në gju.
Megjithatë, synimi është që ai të jetë i gatshëm për përballjen e së dielës ndaj Anglisë.
Për Carreñon, vendimi i përbashkët mes Barcelonës dhe Federatës është plotësisht i arsyeshëm.
“Duhet të pranojmë se Lamine nuk është si të gjithë të tjerët, na pëlqeu apo jo. Mendoj se është hera e parë në historinë e futbollit spanjoll që kemi lojtarin më të mirë në botë”, deklaroi Carreño.
Ai shtoi se është e rëndësishme që Barcelona dhe Federata Spanjolle kanë arritur të bashkëpunojnë për të mirën e futbollistit, duke shmangur tensionet e së kaluarës.
Sipas gazetarit, ky nuk do të jetë rasti i fundit kur Lamine do të përfitojë nga një plan i veçantë rikuperimi.

