Gjermania ka marrë një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Serbisë në Ligën e Kombeve, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në “play-off”, teksa lojtari me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda shënoi gol në debutimin e tij.
Serbia, ndërkohë, e përfundoi ndeshjen me nëntë futbollistë dhe e konfirmoi rënien nga Liga A, pasi pësoi humbjen e pestë radhazi në këtë garë.
Gjermanët kaluan në epërsi që në minutën e tretë, pas një devijimi të Srdjan Babic, i cili e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Maximilian Mittelstadt.
Në minutën e 13-të, Florian Wirtz dyfishoi epërsinë, pasi përfitoi nga topi i kthyer prej portierit Vanja Milinkovic-Savic pas goditjes së Kai Havertz.
Në pjesën e dytë, debutuesi Brajan Gruda realizoi një gol të bukur për 3-0, ndërsa Serbia arriti ta ngushtonte epërsinë në 3-1 përmes Babic, i cili u përmirësua për autogolin e pjesës së parë.
Megjithatë, vendasit e patën shumë të vështirë vazhdimin e ndeshjes. Vanja Dragojevic u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Joshua Kimmichut, ndërsa në minutat e fundit edhe Andrija Zivkovic u përjashtua për protesta ndaj gjyqtarit.
Me këtë humbje, Serbia e konfirmoi rënien në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, ndërsa Gjermania do të kërkojë fitoren ndaj Holandës të hënën për ta siguruar kualifikimin në fazën e “play-offit”.

