Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vërtetimin e dënimeve ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, ka reaguar Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt.
Përmes një postimi, ai ka shprehur dhimbjen për humbjen e motrës, duke thënë se fëmijët e saj do të rriten pa nënën, ndërsa ka shprehur shpresën që edhe Kushtrim Kokalla të marrë të njëjtin epilog.
Ai gjithashtu ka falënderuar mediat për vëmendjen e treguar ndaj rastit dhe ka bërë thirrje që vrasjeve të grave në Kosovë t’u vijë fundi.
Reagimi i tij i plotë:
Naim Murseli dhe Granit Plava do të vdesin në burg. Shpresojmë që e njëjta gjë do t’i ndodhë edhe Kushtrim Kokallës.
Gjykata e Apelit sot i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore.
Vajza dhe motra jonë, Liridona, nuk do të na kthehet. Fëmijët e saj do të rriten pa nënën e tyre, por na ngushëllon fakti që ky rast mori epilog edhe në nivel të Gjykatës së Apelit.
Faleminderit të gjithëve, e sidomos mediave, për vëmendjen që i keni kushtuar këtij rasti dhe për hapësirën që na keni dhënë.
Urojmë që vrasjeve të grave t’u vijë fundi dhe që Kosova të bëhet një vend më i sigurt për gratë.

