Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se aktualisht nuk ekziston fronti opozitar për ta rrëzuar qeverinë “Kurti”.
Ai tha se AAK-ja do të punojë që partitë opozitare të bashkohet në një front opozitar për ta luftuar të keqen e vendit, e që sipas tij është kryeministri Albin Kurti.
“Ne kemi pasur disa takime edhe me shoqërinë civile edhe me gazetarë por edhe me ata që janë punëdhënësit më të mëdhenj në Kosovë e të cilët janë edhe taksapaguesit më të mëdhenj të shtetit dhe mendoj që aty kemi marrë këshilla të domosdoshme që të bëjmë veprime të fuqishme për ta larguar këtë qeverisje”.
“Ajo që ka dominuar është se ka ngecur gjithçka në ekonominë e Kosovës. Edhe gazetarët kanë qenë shumë të shqetësuar për vendimin e MINT-it ndaj Klanit, për mbylljen e një mediumi që nuk mund të ndodhë në demokraci”, tha Lekaj në Klan Kosova.
Lekaj paralajmëroi se në shtator mocioni do të jetësohet, teksa bëri të ditur se AAK-ja nuk e rrëzon Qeverinë Kurti me votat e Listës Serbe.
“Në shtator do të dominojë ajo që do të përkrahet edhe nga LDK-ja e PDK-ja dhe disa deputetë, plus komunitetet që janë në parlament, pa Listën Serbe, sepse nuk e rrëzojmë këtë qeveri me Listën Serbe”, tha Lekaj.