Sikurse edhe partitë tjera politike, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kryer organizimet në të gjitha degët e veta për të dal sa më e përgatitur në zgjedhjet nacionale që do të mbahen me 9 shkurt 2025.
Lidhur me këtë ka postuar sot në rrjetet sociale kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku për të treguar se deri ku ka arritur të organizohet LDKja në Prishtinë.
Abdixhiku ka bërë të ditur se Prishtina ku veprojnë pesë degë të LDK-së do të ketë gjithsejt 20 kandidatë për deputet të cilët vijnë nga pozita, funksione dhe profile të ndryshme politike dhe soiale. Ai ka thënë se Prishtina do të garojë në këto zgjedhje si ekip e jo si degë të veçanta siç ka qenë rasti në të kaluaren.
Postimi i plotë:
Kandidatë për deputetë, asambleistë e drejtorë lokal nga Kryeqyteti sot u bënë bashkë në takimin e parë mobilizues për zgjedhjet e ardhshme nacionale. Do të garojmë si një ekip, si një tërësi – fitues, nga tash deri në shkurt.
Do të mbajmë një takim të madh me të gjitha strukturat, për të vazhduar me takime nëpër çdo lagje, çdo shtëpi e çdo pjesë të Prishtinës.
Nga 5 degët tona janë propozuar 20 kandidatë për deputetë. Ata pas vetes mbajnë jo vetëm një përvojë të pasur, por edhe një karrierë të pastër. Krenar me secilin prej tyre; i bindur me përkushtimin e tyre ndaj vendit e qytetarëve.
Me ta dhe çdo qytetar, do të flasim për planin tonë kundrejt ngecjes së tanishme. Për planin tonë për fëmijë e familje, për paga më të larta e përballueshmëri të çmimeve. Për një Kosovë të zhvilluar e me investime, të fortë, të hapur e në rrugëtim të palëkundur euroatlantik.