Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se do të tërhiqet nga kandidatura nëse nuk i siguron 61 vota në votimin e fshehtë.
Deklarata u bë gjatë një konference për media, ku ajo foli për qëndrimet e VV-së pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin 30-ditor për përfundimin e konstituimit të Kuvendit.
“Në rastin e votimit të fshehtë, nëse unë nuk i marr 61 vota si kandidate e propozuar nga VV-ja, unë tërhiqem nga kandidatura”, theksoi Haxhjiu, duke ftuar sërish opozitën që të reflektojë mbi vendimin e Kushtetueses.
Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe se Kushtetuta i njeh të drejtën partisë fituese që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Për mua, të qenët kryetare e Kuvendit kërkon pjekuri, neutralitet dhe përkushtim për t’i shërbyer të gjithë deputetëve pa dallim,” u shpreh Haxhiu, duke theksuar se kjo pozitë është mbi përkatësitë partiake dhe përplasje politike.
Sipas saj, votimi i fshehtë nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe nuk është i ndaluar nga aktgjykimi i fundit, prandaj mbetet një instrument legjitim në këtë fazë të procesit parlamentar.