Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka sinjalizuar një hapje të mundshme të PDK-së për të mbështetur kandidaturën e Fatmir Limajt për kryetar të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për të tejkaluar krizën institucionale që po vazhdon prej më shumë se tre muajsh.
Në një deklaratë për media para seancës së radhës konstituive, Nura theksoi nevojën për reflektim të përgjithshëm politik, duke theksuar se bllokada e gjatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
“Kanë kaluar tash e tre muaj, mendoj që duhet të reflektojmë ne si deputetë, të gjithë së bashku dhe veç e veç,” tha Nura.
Nura vlerësoi kontributin e Fatmir Limajt në të kaluarën, duke thënë se për të mbajtur një pozitë të rëndësishme shtetërore, njeriu duhet së pari të dëshmojë dashuri për vendin.
“Mendoj që Limaj në një kohë ka treguar një aset të rëndësishëm që e vlerësoj shumë. Për të pasur një pozitë shtetërore duhet që së pari ta duam këtë vend,” u shpreh ai.
Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, PDK është e gatshme të japë mbështetje për Limajn nëse kjo do të ndihmojë në daljen nga bllokada.
“Unë kam thënë dhe e përsëris se mendoj që PDK-ja do të votojë Fatmir Limajn për kryeparlamentar,” theksoi Nura.
Deklaratat e Nurës përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike, pasi PDK – njëra nga partitë kryesore opozitare – ka pasur qëndrime më të rezervuara për bashkëpunime në këtë legjislaturë. Një mbështetje e mundshme për Limajn, nëse konkretizohet si qëndrim zyrtar i partisë, mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjidhjen e bllokadës dhe funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, deri më tani nuk ka ende një qëndrim zyrtar të PDK-së, dhe deklarata e Nurës mbetet në kuadër të qëndrimit personal, ndonëse me peshë politike.

