Sot në Botëror katër duele interesante

by Nexhat

Kupa e Botës 2026 vazhdon sot me katër përballje mjaft tërheqëse nga Grupet E dhe F, të cilat transmetohen drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës.

Në program janë ndeshje që sjellin përballje mes favoritëve evropianë dhe skuadrave ambicioze nga kontinente të tjera.

banner

Ndeshja e parë e ditës është ajo ndërmjet Gjermanisë dhe Kurasaos, debutuese në Kupën e Botës, e cila zhvillohet prej orës 19:00. Gjermanët e drejtuar nga Julian Nagelsmann synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin në Grupin E, ndërsa Kurasao kërkon të shkruajë historinë në paraqitjen e parë në një Botëror. Përzgjedhësi Dick Advocaat ka deklaruar se skuadra e tij nuk ka asgjë për të humbur dhe do të tentojë të befasojë një nga kombëtaret më të suksesshme në histori.

Më pas vëmendja zhvendoset në Grupin F, ku Holanda përballet me Japoninë, nga ora 22:00. Holandezët konsiderohen favoritë të grupit, por japonezët kanë dëshmuar në vitet e fundit se janë të aftë të rivalizojnë me çdo kundërshtar në skenën ndërkombëtare. Kjo ndeshje pritet të jetë një nga më interesantet e raundit të parë në grupe.

Në mesnatë (nga ora 1:00) zhvillohet dueli i Grupit E ndërmjet Bregut të Fildishtë dhe Ekuadorit. Të dyja kombëtaret synojnë kalimin në fazën tjetër dhe konsiderohen rivalë të drejtpërdrejtë për pozitat kryesore pas Gjermanisë. Afrikanët vijnë me vetëbesim pas suksesit në Kupën e Kombeve të Afrikës, ndërsa Ekuadori mbështetet në organizimin e fortë dhe lojtarët e rinj premtues.

Programi i ditës mbyllet me sfidën Suedi – Tunizi, e cila transmetohet mëngjesin e së hënës (04:00).  Suedezët kërkojnë ta nisin me tri pikë aventurën në Grupin F, ndërsa Tunizia synon të bëjë hapin e parë drejt një kualifikimi historik në fazën nokaut të Kupës së Botës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy