La Liga e ka lëshuar një sulm të fortë ndaj Premierligës duke i akuzuar klubet angleze se bazohen në një model ekonomik “të mbështetur te humbjet”, i cili po shkakton inflacion të jashtëzakonshëm në tregun e transferimeve.
Klubet e Premierligës e kanë thelluar edhe më shumë diferencën e shpenzimeve me ligat tjera evropiane gjatë afatit kalimtar të verës.
Shifrat e transferimeve e tregojnë qartë këtë diferencë. Klubet e La Ligës i kanë shpenzuar rreth 748 milionë euro gjatë kësaj vere, ndërsa klubet e Premierligës i kanë shpenzuar pothuajse 4 miliardë euro.
Një hendek i jashtëzakonshëm, që sipas La Ligës e tregon ndryshimin e madh mes modeleve ekonomike të dy kampionateve.
Javier Gómez, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i La Ligës, ishte tepër i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij për gazetën “El Mundo”, përcjell “Gazeta Express”.
“Modeli spanjoll bazohet te akademitë, ndërsa modeli i Premierligës bazohet te humbjet”, deklaroi Gómez.
“Nëse të ardhurat e kampionatit anglez janë dyfish më të mëdha se ato të La Ligës apo Bundesligës, atëherë është logjike që t’i shpenzojë rreth 1.5 miliardë euro. Por ata i shpenzojnë afër 4 miliardë euro.”
Sipas tij, kjo shumë nuk vjen vetëm nga të ardhurat e klubeve, por kryesisht nga pronarët.
“Këto para nuk vijnë nga të ardhurat, por nga pronarët. Ky është një model i bazuar vazhdimisht te humbjet dhe që krijon inflacion në të gjithë sektorin e futbollit”, shtoi Gómez.
Gómez theksoi se hendeku ekonomik tashmë nuk kufizohet vetëm te klubet më të mëdha.
Shtatë klubet që kanë shpenzuar më shumë në botë gjatë kësaj vere janë të gjitha nga Premierliga. Real Madridi renditet i teti, ndërsa Barcelona e dhjeta.
Edhe Ipswich Town, i sapongjitur në elitën e futbollit anglez, ka shpenzuar afro 200 milionë euro, një shifër që shumica e klubeve spanjolle do ta kishin shumë të vështirë ta arrinin.
Drejtuesit e La Ligës theksuan se rregullat e kontrollit financiar, të aplikuara prej vitesh në kampionat, synojnë ta garantojnë qëndrueshmërinë ekonomike të klubeve.
Sipas tyre, shpenzimet e klubeve angleze, të financuara nga paratë e pronarëve, i rrisin çmimet e futbollistëve dhe e dëmtojnë tregun e transferimeve në të gjithë Evropën.

