Shqipëria e mbyll aventurën në Taranto 2026 me një bilanc pozitiv. Kuqezinjtë fituan 6 medalje, 2 të arta, 1 të argjendtë dhe 3 të bronzta, duke përmirësuar rezultatin e edicionit të kaluar në Oran.
Sportistët kuqezi i kanë përfunduar tashmë garat e tyre dhe Shqipëria e mbyll këtë edicion me një bilanc prej 6 medaljesh: 2 të arta, 1 të argjendtë dhe 3 të bronzta.
Protagonistët kryesorë të suksesit shqiptar në Taranto kanë qenë mundja dhe peshëngritja.
Në tapetin e mundjes, Islam Dudaev siguroi medaljen e artë në stilin e lirë, ndërsa Zelimkhan Abakarov u rendit i dyti, duke marrë medaljen e argjendtë. Në mundjen klasike, Ardit Zeneli plotësoi podiumin shqiptar me një medalje bronzi.
Edhe peshëngritja solli rezultate të rëndësishme. Briken Calja u shpall fitues në stilin e shkëputjes, në peshën 75 kg, duke marrë medaljen e artë, ndërsa siguroi edhe një medalje bronzi në shtytje. Paraqitja e tij u shoqërua edhe me katër rekorde të reja mesdhetare.
Një tjetër medalje për Shqipërinë erdhi nga peshëngritësja e talentuar Enkileda Carja, e cila fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 69 kg.
Me këto rezultate, Shqipëria largohet nga Taranto me një bilanc më të mirë se në Lojërat Mesdhetare Oran 2022. Në atë edicion, kuqezi fituan 4 medalje: 2 të arta, 1 të argjendtë dhe 1 të bronztë.
Kështu, Shqipëria e mbyll aventurën në Taranto 2026 me 6 medalje, dy më shumë se katër vite më parë, duke konfirmuar paraqitjen pozitive të sportistëve kuqezi në arenën mesdhetare

