E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi duket gjithnjë e më larg Torinos. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës nuk është përfshirë në listën e Juventusit për ndeshjet e fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Vendimi i klubit italian vjen në një periudhë kur e ardhmja e Zhegrovës në Juventus është vënë seriozisht në pikëpyetje. Trajneri Luciano Spalletti ka shpjeguar se kufizimet në numrin e lojtarëve të lejuar nga UEFA e kanë detyruar klubin të bëjë zgjedhje të vështira.
“Është një garë e nivelit më të lartë. Dallimi vjen nga sa mund të rritesh dhe ta mbash atë nivel. Para pushimit ndërkombëtar do të luajmë nëntë ndeshje në 22 ditë. Do të na duhet ekuilibër dhe aftësia për të bërë rrotacione me 22 lojtarë ndërsa luajmë për kreun e tabelës në Serie A dhe në Ligën e Evropës. Nuk do të jetë e lehtë. Marrëveshja me UEFA-n nuk na lejon një skuadër shumë të madhe. Kemi kufizime që na detyruan të lëmë pesë lojtarë jashtë listës së UEFA-s, ishte një vendim që më mbajti zgjuar natën”, ka thënë Spalletti.
Megjithatë, mediat italiane pranë Juventusit raportojnë se Zhegrova nuk është më pjesë e planeve të trajnerit.
Sipas “Juventus News 24”, klubi torinez shpreson që në ditët e ardhshme të marrë oferta konkrete nga tregje ku afati kalimtar është ende i hapur, me Arabinë Saudite, Turqinë dhe Portugalinë që shihen si destinacione të mundshme.
Juventusi raportohet se e ka vlerësuar Zhegrovën rreth 15 milionë euro, shumë që do t’i mundësonte klubit të shmangte humbjet kapitale nga investimi i bërë për të.
Ndërkohë, “TuttoJuve” shkruan se Juventusi do të ishte i gatshëm të shqyrtonte edhe një huazim, me kusht që paga e lojtarit të mbulohet dhe marrëveshja të përfshijë detyrim për blerje.
Për Zhegrovën është raportuar interesim nga klubi saudit Al-Ittihad, por deri tani nuk ka pasur ofertë konkrete.
27-vjeçari iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Lille për rreth 15.5 milionë euro. Megjithatë, ai nuk arriti të fitojë një rol të rëndësishëm në skuadrën torineze.
Në edicionin aktual, Zhegrova ka luajtur vetëm 21 minuta. Ai gjithashtu mungoi në ndeshjen e fundit të Juventusit ndaj Parmës në Serie A, ndërsa më herët është raportuar se po rikuperohej nga një lëndim.
Kontrata e tij me Juventusin është e vlefshme deri në verën e vitit 2030.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje për transferimin e tij në ditët në vijim, Zhegrova mund të mbetet te Juventusi, por jashtë planeve të skuadrës, deri në afatin kalimtar të janarit

