Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, e ka konfirmuar të mërkurën se ndeshja e dytë e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit do të zhvillohet të dielën, pavarësisht debatit për luftën në Gaza.
Irlanda e ka mposhtur Izraelin 3:0 të dielën në Hungari, pas një periudhe të tensionuar para ndeshjes. Portieri Gavin Bazunu është tërhequr nga grumbullimi një ditë para takimit, duke thënë se nuk do të duhej të merrte pjesë në asnjërën prej dy ndeshjeve ndaj Izraelit.
“Federata Irlandeze e Futbollit ka thënë se do t’i zhvillojmë të dyja ndeshjet. Ky ka qenë qëllimi ynë kur kemi ardhur në grumbullim dhe ende është qëllimi ynë”, ka thënë Hallgrimsson në një konferencë për media në Dublin.
“Po përpiqemi të përqendrohemi te futbolli. Tashmë është vendosur se do t’i zhvillojmë ndeshjet”, ka shtuar trajneri islandez.
Irlanda do të përballet të enjten me Austrinë në Dublin, ndërsa më pas do të luajë ndaj Izraelit të dielën. Kjo ndeshje, në të cilën Irlanda figuron si vendase, do të zhvillohet pa praninë e tifozëve në Baçka Topola të Serbisë.
Në ndeshjen e së dielës në Debrecen, futbollistët irlandezë kanë mbajtur shirita të zinj në krahë për nderim të personave që kanë humbur jetën në konfliktin në Gaza. Ata gjithashtu kanë ulur kokën gjatë intonimit të himnit të Izraelit.
Dy ekipet nuk kanë realizuar përshëndetjen tradicionale para ndeshjes dhe nuk kanë shkëmbyer flamujt.
Hallgrimsson ka bërë të ditur se futbollistët irlandezë do të mbajnë sërish shirita të zinj në ndeshjen e dytë dhe do ta përsërisin veprimin gjatë himnit të Izraelit.
Që prej shortit të Ligës së Kombeve në shkurt, grupe tifozësh, sportistë dhe aktivistë propalestinezë kanë bërë thirrje që ndeshjet mes Irlandës dhe Izraelit të bojkotohen.
FAI ka kërkuar vitin e kaluar nga UEFA që Izraeli të pezullohet, por kërkesa nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme nga drejtuesit e futbollit evropian.
FAI e ka zhvendosur ndeshjen e 4 tetorit nga Dublini në Serbi, duke përmendur sfidën organizative si arsye për vendimin.
Izraeli i ka kundërshtuar akuzat se veprimet e tij në Gaza përbëjnë gjenocid. Konflikti kishte nisur pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili është pasuar nga ofensiva ushtarake izraelite në Gaza

