Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është ankuar në Gjykatën Supreme pasi u shkarkua nga kjo pozitë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Supremes, Antigona Lutfiu.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa administrative është pranuar me datë 9.10.2026, mban numrin AA.nr.40/2026, dhe është në shqyrtim”.
Më 2 tetor, KPK mori vendim për shkarkimin e Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale duke e arsyetuar se deri te vendimi erdhi pasi u vlerësuan rrethanat “institucionale dhe profesionale”.
Për shkarkimin e Isufajt pati reagime nga opozita që këtë vendim e panë si kapje të institucionit të Këshillit Prokurorial nga kryeministri Albin Kurti.

