Deklarata e zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj se Ulqini është një “qytet shqiptar” ka nxitur reagime të ashpra politike në Mal të Zi dhe ka hapur debat mbi karakterin real të shtetit malazez.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, zëvendëskryeministër i Malit të Zi për politikë ekonomike dhe lider i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, thotë se Ulqini është një “qytet shqiptar” i kapur nga politikanë të korruptuar dhe premton se në zgjedhjet e vitit 2027 ai do të “çlirohet”.
“Ulqini ishte qytet. Ulqini është qytet. Ulqini do të jetë gjithmonë qytet. Ulqini është qytet me shumicë të popullsisë shqiptare. Ulqini është qytet shqiptar. Ulqini është qytet i kapur nga disa politikanë të njohur për korrupsion. Ulqini është qytet që do të çlirohet në qershor të vitit 2027. Ulqini është metropol i turizmit evropian!”, shkroi Gjeloshaj në llogarinë e tij në Instagram.
STUHI NË PARLAMENT
Postimi i zëvendëskryeministrit të Malit të Zi erdhi një ditë pas polemikës së zhvilluar në parlament mes përfaqësuesve të Forumit Shqiptar dhe Aleancës Shqiptare, ku u fol gjithashtu për “Ulqinin shqiptar”. Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Ilir Çapuni nga Aleanca Shqiptare kritikoi zgjidhjen e propozuar, duke thënë se “qendrat historike dhe urbane si Ulqini apo Kotorri” po humbasin statusin e qytetit, duke shtuar se Ulqini “ishte qytet kur në vitin 1878 u bë pjesë e Malit të Zi”.
Nga ana tjetër, deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi, kritikoi ashpër pushtetin aktual në Ulqin, në krye të të cilit ndodhet kryetari i komunës, Genci Nimanbegu.
“Ulqini është qytet i lashtë, qytet ilir, qytet me të cilin krenohen shqiptarët në mbarë botën. Mënyra se si është qeverisur dhe vazhdon të qeveriset ai qytet është turp për çdo qytetar…”
Gjatë polemikës, Çobi tha gjithashtu se Ulqini ishte “qytet shqiptar”.
“Kur flasim për Ulqinin, ai ishte qytet shqiptar që u mbrojt. Rrethanat historike dhe fuqitë e mëdha përcaktuan që ai të bëhej pjesë e Malit të Zi”, tha deputeti i koalicionit të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj.
Pas reagimeve të forta të deputetëve të opozitës, Çobi sqaroi se kishte pasur parasysh faktin se në atë periudhë shumica e popullsisë ishte shqiptare.
ALBANOFOBI APO KEQINTERPRETIM
Polemika e hapur nga dy deputetët në parlamentin malazez vazhdoi në rrjetet sociale dhe në media. Duke u përpjekur të shpjegojë më tej deklaratën e deputetit Çobi, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj tha se bëhet fjalë për një interpretim të gabuar, duke konstatuar njëkohësisht se në shoqërinë malazeze ekziston një albanofobi e theksuar.
“Kur themi ‘komuna shqiptare’ ose ‘qytet shqiptar’, nuk nënkuptojmë se ato i përkasin Shqipërisë, por përshkruajmë identitetin e tyre historik, kulturor dhe demografik brenda Malit të Zi. Në të njëjtin postim kam shkruar edhe se Ulqini është qytet evropian, por kjo, duket se, nuk ishte interesante.”
Zëvendëskryeministri shtoi se “ndoshta është mirë që reagime të tilla tregojnë se sa e pranishme vazhdon të jetë albanofobia”, gjë që, sipas tij, e konfirmojnë edhe hulumtimet mbi distancën etnike ndaj shqiptarëve.
“Do të vazhdoj të përfaqësoj interesat e shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë të punoj në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Kontributi i ministrisë që drejtoj në mbylljen e tetë kapitujve negociues me Bashkimin Evropian është dëshmia më e mirë se lufta për të drejtat e popullit tënd dhe e ardhmja evropiane e Malit të Zi nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por ecin së bashku”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, duke shtuar se thelbi i postimit të tij në Instagram kishte të bënte me pushtetin lokal në Komunën e Ulqinit.
“I gjithë postimi kishte të bënte me pushtetin lokal të korruptuar dhe synimin tonë për ta ndryshuar atë në zgjedhjet e vitit 2027.”
MENÇURI E VONUAR DHE RETORIKË PARAZGJEDHORE
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, deklaratën e zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj e quajti “mençuri të vonuar”.
“Në këtë mënyrë ata justifikojnë faktin që ministrat e tyre po e shtyjnë përpara Projektligjin për Vetëqeverisjen Lokale, me të cilin Ulqini do ta humbasë statusin e qytetit”, tha Nimanbegu për gazetën Vijesti.
I pyetur se çfarë nënkupton mesazhi se Ulqini është “qytet shqiptar”, Nimanbegu u përgjigj shkurt:
“Parazgjedhor.”
Ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse i arsyeton deklaratat për Ulqinin të dëgjuara ditët e fundit në parlament dhe në media, duke thënë se “kjo është pyetje për atë që e ka thënë”.
MESAZHE TË RREZIKSHME
Polemika mes përfaqësuesve të partive shqiptare në Mal të Zi hapi çështjen e karakterit real të shtetit malazez. Në debat u përfshi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviq.
“Ekziston një dallim i madh mes të thuash se Ulqini është qytet me shumicë të popullsisë shqiptare dhe të thuash se Ulqini është ‘qytet shqiptar’. E para është fakt. E dyta është mesazh politik që hap pyetjen: a ekzistojnë atëherë edhe qytete ‘boshnjake’, ‘serbe’ apo ‘malazeze’?”, paralajmëroi Zhivkoviq.
“Nëse pranojmë logjikën se Cetina është malazeze, Andrijevica serbe, Rozhaja boshnjake dhe Ulqini shqiptar, atëherë Mali i Zi pushon së qeni shtet dhe bëhet një përmbledhje territoresh kombëtare, që është receta e përkryer për zhdukjen e tij”, tha kryetari i DPS-së, duke shtuar se një “federatë e tillë kombësish” do të ishte plotësisht jofunksionale dhe nuk i nevojitet askujt, e sidomos qytetarëve që duan para së gjithash një jetë dhe standard më të mirë.
Prandaj, sipas Zhivkoviqit, çdo qytet në Mal të Zi u përket të gjithë qytetarëve të tij, sepse kjo nuk është çështje përkatësie etnike, por shtetërore.
“Mali i Zi qytetar nuk do të thotë që dikush duhet të heqë dorë nga identiteti i tij. Përkundrazi. Shteti qytetar ekziston pikërisht që secili të ketë të drejtë të jetë ai që është, të kultivojë fenë dhe kulturën e tij, të ruajë traditat e të parëve dhe të deklarohet lirshëm për përkatësinë e tij kombëtare”, tha lideri i partisë më të madhe opozitare në Mal të Zi, Danijel Zhivkoviq.
Debati mbi pyetjen “i kujt është Ulqini” tregoi se çështjet e identitetit në Mal të Zi mbeten ende shumë aktuale dhe të ndjeshme. Ndërsa nga njëra anë ngrihen çështje të ndarjes së Malit të Zi sipas vijave etnike, nga ana tjetër paralajmërohet se kjo mund të ketë pasoja afatgjata për karakterin qytetar të shtetit.

