Berat Rukiqi: Ekonomia në rënie alarmante, shteti drejt kolapsit – Kursimet po shpenzohen për mbijetesë

by engel

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka ngritur alarmin për gjendjen ekonomike të vendit, duke e cilësuar situatën si “rrënie alarmante” dhe duke paralajmëruar një kolaps të mundshëm të shtetit nëse nuk merren masa urgjente.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rukiqi ka renditur një sërë shqetësimesh që sipas tij dëshmojnë se ekonomia kosovare ndodhet në një krizë të thellë strukturore. Ai thekson se kursimet e qytetarëve dhe bizneseve po shpenzohen për nevoja bazike të mbijetesës, ndërsa depozitat bankare janë në rënie të ndjeshme.

banner

“Bankat po ofrojnë norma të larta për depozita, pasi që qytetarët dhe bizneset kanë filluar t’i shpenzojnë edhe kursimet. Kërkesa për kredi po rritet çdo ditë, por bankat e kanë ngadalësuar dhënien e kredive, pasi që nuk kanë depozita,” shkruan Rukiqi.

Deputeti opozitar thekson se zinxhiri ekonomik është thyer, ndërsa bizneset janë në borxh me njëra-tjetrën dhe përballen me vonesa të konsiderueshme në pagesat e faturave. Ai shton se fuqia blerëse e qytetarëve është në rënie të lirë, veçanërisht në sektorë kyç si ushqimi dhe ndërtimtaria.

Një tjetër problem i madh që Rukiqi ngre është çmimi i energjisë elektrike, të cilin e cilëson si “në qiell”, ndërsa prodhimi vendor, sipas tij, po shkon drejt “vdekjes klinike” pikërisht për shkak të rritjes së shpenzimeve të energjisë.

“Importi po rritet, prodhimi vendas në vdekje klinike,” paralajmëron ai.

Në përfundim të postimit të tij, Rukiqi kritikon ashpër qasjen e Qeverisë, duke akuzuar pushtetin se po e mbulon krizën me propagandë dhe improvizime.

“Ekonomia nuk mbijeton me propagandë, as me fjalime, e as duke i bërë pyetje ChatGPT-së,” ironizon deputeti i LDK-së.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy